Vlora është porti i dytë i vendit dhe një prej qyteteve më të mëdhenj e të rëndësishëm të Shqipërisë. Distanca nga kryeqyteti i vendit është rreth 130 km dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” 120 km. Ky daton në antikitet që në shek. VI p.e.s. me emrin Aulona. Në qendër të qytetit, pranë Sheshit të Flamurit, janë zbuluar fragmente të mureve masive rrethuese të Aulonës. Në vitin 1081 ky qytet ra nën sundimin Norman. Në shekullin XIV u përfshi në “Mbretërinë e Arbërisë” nën drejtimin e Balshajve (princi-pata e Balshajve). Në vitin 1417 u pushtua nga osmanët. Në 1812 qyteti ra në dorë të Ali Pashë Tepelenës dhe një shekull më vonë, në 28 Nëntor 1912, u bë kryeqyteti i parë i Shqipërisë së pavarur, me qeverinë e kryesuar nga Ismail Qemali. Objekte me interes në qytetin e Vlorës janë muzeu i “Pavarësisë” (i ngritur në ish-selinë e qeverisë së parë), ai i “Historisë” dhe “Etnografisë”. Ndër objektet religjioze vlen të përmendet xhamia e Muradies e ndërtuar në vitin 1542 nga kryearkitekti i Perandorisë Otomane Mimar Sinani, (arkitekt Sinani), i cili ishte me origjinë shiptare. Kjo xhami është e vetmja vepër e mbetur në Shqipëri nga ana e tij. Në një kodër dominante mbi qytet gjendet pika religjioze e “Kuzum Babait” objekt i sektit bektashian. Prej këtej ofrohet një pamje e bukur dhe madhështore drejt qytetit të Vlorës, gadi-shullit të Karaburunit, ishullit të Sazanit dhe lagunës së Nartës. Këtu ndodhen gjithashtu bare dhe restorante të këndshme.