Finiqi është një fshat në komunën Finiq në rrethin e Delvinës të Shqipërisë.

Është qendër e komunës me të njëjtin emër, ku përmblidhen fshatrat Finiq, Karahaxh, Blerimas (Shijan), Buronjë , Vrion, Bregas dhe Çlirim (S.M.T.). Koordinatat gjeografike: gjerësia veriore 39° 54′ 23″, gjatësia lindore 20° 3′ 30″.

Foinikia ka një histori të lashtë. Ai ka qenë kryeqendra e kaonëve, ndërsa në shekullin III u bë kryeqyteti i gjithë shtetit të Epirit. Sipas Polibit, ka qenë qyteti më i fortifikuar i Epirit. Ngrihej në një kodër në formën e një anijeje të përmbysur. Fshati i sotëm ndodhet në rrëzë të kësaj kodre. Ka tri seksione muresh të ruajtura në kodër: muret e akropolit, muret e periudhës së zgjerimit të akropolit dhe muret e qytetit të fortifikuar. Këto mure, që dallohen për vëllimin e tyre të madh, datohen me përafërsi midis shek. IV dhe II para Kr. Në brendësi të mureve ndodhen rrënojat e mureve greke dhe romake. Në fshat ka mbetje të mureve greke, por ato romake janë më të shumta në numër. Tek akropoli është zbuluar një thesar i vogël, që në periudhën bizantine u shndërrua në baptister. Po ashtu është zbuluar një teatër me kapacitet të madh. Janë gjendur edhe tri çisterna që i përkasin periudhës midis shek. V dhe shek. III para. Kr. dhe disa rrënoja ndërtesash.Prej vitit 2000 një mision arkeologjik i Universitetit të Bolonjës (Itali), kryen rregullisht gërmime arkeologjike.